Vizitën e saj në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e nisi me një takim me Presidentin Bajram Begaj.

Në fokus të takimit ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i saj në rajon.

Presidenti i Republikës i shprehu Përfaqësueses së Lartë Evropiane mirënjohje për angazhimin e palëkundur dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, sikurse thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u vlerësua si mjeti më efektiv gjeopolitik, thelbësor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetin në rajon. Presidenti Begaj rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol proaktiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke vepruar si një faktor stabilizues. Kreu i Shtetit i shprehu përfaqësueses Kallas falënderim për Planin e Rritjes dhe mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë dhe rajonit.

Presidenti Begaj konfirmoi se Shqipëria është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave thelbësore të BE-së: respektimin e të drejtave themelore.

Presidenti Begaj, gjatë bisedës me Kallas, shprehu synimin e vendit për hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda këtij viti dhe mbylljen e pjesës teknike të negociatave, duke përfunduar kapitujt deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në 2030-ën.

“Angazhimi i Shqipërisë ndaj objektivit strategjik për integrimin në BE mbetet një prioritet kyç”, tha Kreu i Shtetit.

Artikulli paraprakDITA BOTËRORE E SHËNDETIT, NË SHQIPËRI 245 BEBE HUMBËN JETËN PA MBUSHUR 1- VJEÇ NË 2023
Artikulli tjetërMELISA FIGURI KONCERT RECITAL NË LEZHË