
Rotary Club Shkodër zhvilloi Ceremoninë tradicionale të Kalimit të Çekiçit, duke përmbyllur vitin rotarian 2025–2026 dhe duke mirëpritur vitin e ri 2026–2027. Gjatë mbrëmjes u prezantuan arritjet e klubit dhe projektet e realizuara në shërbim të komunitetit, ndërsa u vlerësua kontributi i anëtarëve, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve.
Momenti qendror i ceremonisë ishte Kalimi i Çekiçit, simbol i vazhdimësisë së lidershipit në Rotary. Presidenti në largim, Muhamet Kaçirani, ia dorëzoi drejtimin e klubit presidentes së re, Valbona Quku Lisha, e cila do të udhëheqë Rotary Club Shkodër për vitin rotarian 2026–2027.
Gjatë ceremonisë u ndanë disa certifikata mirënjohjeje për kontributorët e Rotary Club Shkodër. Mes tyre, një certifikatë iu akordua sponsorit të klubit, Hotel Colosseo, në vlerësim të mbështetjes së vazhdueshme për aktivitetet e Rotary Club Shkodër, ndërsa një tjetër iu dorëzua Televizionit Star Plus, për pasqyrimin profesional të veprimtarive të Rotary Club Shkodër ndër vite.
Ceremonia mblodhi drejtues të Distriktit 2485, përfaqësues institucionesh, partnerë dhe anëtarë të familjes Rotary, duke përcjellë mesazhin e vazhdimësisë së shërbimit dhe angazhimit në dobi të komunitetit.






