
Tashmë është zyrtare: Sherif Kallaku nuk është më futbollist i Vllaznisë. Klubi shkodran ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me Teutën për transferimin e mesfushorit fantazist, duke i dhënë fund një prej çështjeve më të përfolura të merkatos së verës. Sipas raportimeve, kartoni i 28-vjeçarit i ka kushtuar klubit durrsak rreth 50 mijë euro, ndërsa lojtari rikthehet te Teuta, skuadër me të cilën ka fituar më parë edhe Kupën e Shqipërisë. Kallaku kishte rinovuar kontratën me Vllazninë vetëm pak javë më parë, por më pas bëri të ditur se nuk do ta vazhdonte aventurën në Shkodër.
Ai nuk iu bashkua asnjëherë përgatitjeve të ekipit gjatë verës, ndërsa kuqeblutë e kishin përfshirë fillimisht edhe në listën për ndeshjet e UEFA Conference League, duke shpresuar në një ndryshim të situatës. Në njoftimin zyrtar, Vllaznia falënderoi futbollistin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
“Faleminderit, Sherif. KF Vllaznia njofton se ka arritur marrëveshjen me KF Teuta për transferimin e futbollistit Sherif Kallaku. Falënderojmë Sherifin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu gjatë kohës që ishte pjesë e klubit tonë. I urojmë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive dhe e falënderojmë për gjithçka dha për Vllazninë. Suksese, Kallaku!”
Me këtë transferim, Teuta siguron një përforcim me eksperiencë për repartin e mesfushës, ndërsa Vllaznia mbyll përfundimisht një kapitull që kishte dominuar merkaton e saj gjatë javëve të fundit.






