
Kampi veror “Buzëqeshim Verës”, i organizuar nga Bashkia Shkodër, po vijon me sukses për të tretin vit radhazi, duke mbledhur qindra fëmijë në një atmosferë plot lojëra, aktivitete edukative dhe argëtim. Fëmijët shprehen se po kalojnë një verë të veçantë, po argëtohen çdo ditë dhe, mbi të gjitha, po krijojnë miqësi të reja që shpresojnë t’i ruajnë edhe pas përfundimit të kampit.
Punonjësja sociale Stesi Boriçi tregon se interesi këtë vit ka qenë shumë më i lartë se pritshmëritë, me regjistrime që kanë tejkaluar parashikimet. Për këtë arsye, kampi është zgjatur edhe me një javë, në mënyrë që sa më shumë fëmijë të bëhen pjesë e aktiviteteve.
I zhvilluar në disa qendra komunitare dhe shkolla, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative, kampi u ofron fëmijëve mundësi për t’u socializuar, për të zhvilluar aftësi të reja dhe për të kaluar pushimet verore në një mjedis të sigurt, edukativ dhe gjithëpërfshirës.
Përmes “Buzëqeshim Verës”, Bashkia Shkodër vijon të investojë në mirëqenien e fëmijëve, duke u krijuar atyre hapësira ku të mësojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë kujtime të bukura së bashku.






