Plot 21 futbollistë shqiptarë luajnë në Kampionatin e Zvicrës. Nuk bëhet fjalë për ligat amatore të këtij vendi, por për superligen zvicerane. Pas kampionatit shqiptar dhe kosovar, Kampionati i Zvicrës ka numrin më të madh të futbollistëve shqiptarë që aktivizohen me ekipe të ndryshme. Këto futbollistë janë pjesë e 8 nga 10 skuadrave që marrin pjesë në këtë kampionat.
Vetëm dy ekipe, si: Sioni dhe Thuni nuk kanë asnjë futbollist shqiptar në përbërje. Me numrin më të madh të shqiptarëve është ekipi i njohur i Bazelit, ku bëjnë pjesë 4 futbollistë: Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi, Argjend Cani dhe Albian Ajeti. Dy të parët janë pjesë e Kombëtares Shqiptare dhe kanë qenë ndër emrat më të përfolur në merkaton e verës. Xhaka ishte pranë transferimit te ekipi italian i Fiorentinës, ndërsa Lacio kërkoi shërbimet e Gashit. Pas Bazelit, vjen ekipi i Zyrihut ku bëjnë pjesë 3 futbollistë: Burim Kukeli, Armando Sadiku dhe Berat Xhimshiti. Të tre këto lojtarë janë grumbulluar nga trajneri De Biazi për sfidat ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Edhe te ekipi i Luzernit janë të përfshirë 3 futbollistë: Migjen Basha, Jahmir Hyka dhe Hekuran Kryeziu. Gjithashtu, Grasshoppers ka 3 lojtarë shqiptarë, të cilët janë: Florian Kamberi, Alban Pnishi dhe Shani Tarashaj, ku ky i fundit kryeson rënditjen e golashënuesve me 6 gola. Ekipet e tjera me lojtarë shqiptarë në përbërje janë Vaduzi, ku bëjnë pjesë: Arlind Ajeti, Naser Aliji dhe Albion Avdiaj, Young Boys me Taulant Seferin dhe Florent Hadërgjonajn, Lugano me Frederik Vaselin dhe Denis Markajn, si edhe Gallen, ku bën pjesë Albert Bunjaku, i cili është sulmuesi kryesor i përfaqësueses së Kosovës.