
Lezha u bë pritëse e Kampionatit Kombëtar të Ping Pongut për kategorinë e moshave 15–17 vjeç, ku morën pjesë rreth 90 sportistë nga e gjithë Shqipëria, përfshirë edhe kampionin aktual të vendit. Për dy ditë me radhë, të rinjtë garuan mes tyre në një atmosferë të ngrohtë sportive, duke treguar nivel të lartë përgatitjeje dhe pasion për këtë disiplinë.Sekretari i Federatës Shqiptare të Ping Pongut, Tonin Binoshaj, u shpreh se zgjedhja e Lezhës si vend zhvillimi nuk është rastësore, pasi qyteti ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me federatën dhe ka siguruar bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e këtij sporti.
Specialisti sporteve në Bashkinë e Lezhës, Aurel Locaj, theksoi se synimi kryesor është përfshirja e sa më shumë fëmijëve në aktivitete sportive dhe zgjerimi i disiplinave në qytet.
Kampionati, i cili u zhvillua përgjatë dy ditëve, u mbyll me shpalljen e fituesve kombëtarë të kategorisë 15–17 vjeç, duke sjellë emocione të veçanta për sportistët, trajnerët dhe dashamirësit e ping pongut në mbarë vendin.






