
Klubi i futbollit “Besëlidhja” ka finalizuar një sezon të shkëlqyer, duke u shpallur kampion i Kategorisë së Dytë, pas një ecurie konstante dhe dominuese nga java e parë deri në fund të kampionatit. Skuadra lezhjane arriti të imponojë ritmin e saj ndaj rivalëve, duke treguar organizim të lartë në çdo aspekt, efikasitet në fazën sulmuese dhe siguri në prapavijë. Titulli i fituar është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar nga ana e lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit, veçanërisht të presidentit Pjerin Fushaj, të cilët kanë ndërtuar një skuadër konkurruese dhe me objektiva të qarta. Rikthimi në Kategorinë e Parë konsiderohet si një hap i rëndësishëm për projektin e Besëlidhjes, që synon konsolidimin dhe ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar edhe sezonin e ardhshëm. Ky sukses ka sjellë entuziazëm të madh në qytetin e Lezhës, ku tifozët kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme gjatë gjithë sezonit. Për të ndarë këtë moment me komunitetin, është organizuar një festë zyrtare, e cila do të zhvillohet të enjten më 30-prill, në orën 19:00, në Sheshin “Gjergj Kastrioti” të qytetit të Lezhës. Aty pritet që skuadra të prezantojë trofeun para tifozëve, në një atmosferë festive me pjesëmarrje të gjerë. Festimet për këtë titull kampion vijnë si një dëshmi e rilindjes së futbollit në Lezhë dhe një sinjal i qartë për ambiciet e klubit në sezonin e ardhshëm, ku synimi do të jetë vazhdimësia e rezultateve pozitive dhe ngjitja drejt Superiores.






