
Kontrollet intensive të Policisë së Shtetit kundër kultivimit të bimëve narkotike kanë vijuar në qarkun e Lezhes, ku në bashkëpunim mes strukturave të Policisë së Kurbinit, Mirditës dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë janë goditur tre raste të kultivimit të Cannabis Sativa.
Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve të territorit nga toka dhe ajri, me përdorimin e dronëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Si rezultat i veprimeve policore janë arrestuar në flagrancë Dritan Nikolli, Vojsava Mercina dhe Jetmit Rrucaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.Sipas Policisë, në fshatin Sheshaj të Mirditës u arrestua Jetmit Rrucaj, i cili u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar.Në një rast tjetër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, arrestuan Dritan Nikollin, i cili dyshohet se kujdesej për 151 bimë Cannabis Sativa të kultivuara në territorin e Kurbinit.Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan edhe Vojsava Mercinën, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës” në Laç u zbuluan 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, për të cilat hetimet paraprake dyshojnë se kujdesej ajo.
Në total, gjatë këtij operacioni u konstatuan dhe u asgjësuan me anë të djegies 436 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.Policia bën me dije se kontrollet në terren do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit, me qëllim identifikimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.
https://youtu.be/pTom_Tn1ckI






