Kanadaja do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi kryeministri Xhastin Trudo thotë se nuk ka më forcën politike për të marrë i vetëm vendime për çështjet si pandemia.

Kreu i qeverisë liberale kërkoi të dielën shkrirjen e parlamentit dhe mbajtjen e garës së re elektorale më 20 shtator.

Që prej tetorit 2019, kur u rizgjodh në udhëheqje të vendit, kryeministrit Trudo i është dashur të bashkëpunojë me opozitën për të përmbushur axhendën politike.

Por pakica po shton kritikat ndaj qeverisë për menaxhimin e situatës epidemiologjike, kur dihet se koronavirusi ka vrarë mbi 25 mijë kanadezë dhe nuk është ecur shpejt me vaksinimet.

Vendi po hyn në valën e katërt të pandemisë.

“Kanadezët duhet të zgjedhin se si do ta mbyllim luftën kundër kovidit-19 dhe si të ringrihemi më të fortë, të avancojmë me vaksinat, si t’ju mbështetim juve deri në fund të kësaj krize.”

Mandati i qeverisë aktuale duhej të përfundonte në tetor të vitit 2023, ndërsa konservatorët që kryesojnë opozitën thonë se mbajtja e një fushate në kushtet e Covid-19, po bëhet thjesht për qëllime politike.

Sondazhet e fundit tregojnë se 46 për qind e kanadezeve e vlerësojnë punën e qeverisë.

Temat mbi të cilat do të ngrihet fushata pritet të jenë veç pandemisë, kriza klimatike, rritja ekonomike dhe së fundmi strehimi i 20 mijë refugjatëve nga Afganistani.

Artikulli paraprakMPIKSJA E GJAKUT NË MIOKARD, COVID-19 MUND TË DËMTOJË RËNDË ZEMRËN TUAJ
Artikulli tjetërISH-PRESIDENTI BUSH: NDIHEM I PREKUR NGA SITUATA NË AFGANISTAN