Kanadaja ia beson strukturën e rëndësishme në NATO një shqiptari

“Unë jam i gatshëm të kthehem e të jap kontributin tim nëse dikush më fton në Shqipëri. Unë kam arritur gjithçka që kam pasur ambicie. Jam mjaftueshëm i pasur dhe nuk vuaj për pasuri. Për Shqipërinë do të vija në çdo moment nëse kërkohet ndihma ime. Gjithçka kam mësuar gati çerek shekulli në Kanada jam I gatshëm ta aplikoj në vendin tim” kështu e nis rrëfimin e tij me mjaft emocione një shqiptar të cilit Kanadaja ia ka besuar sistemin e mbrojtjes. Konstandin Ristani është simboli I një historie suksesi, por që gjithçka e ka realizuar jashtë Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel” ai ka rrëfyer 25 vitet e tij në emigracion ku ia ka dalë të punojë në struktura të larta të shtetit Kanadez. Aktualisht është drejtues i një njësie mjaft të rëndësishme në NATO, struktura që merret me arkitekturën e sistemit të komunikimit dhe informimit për çdo mision apo veprimtari të Aleancës Veri-Atlantike. “Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1992 dhe u vendosa në Kanada pasi kisha marrë edhe pasaportën kanadeze me natyralizim, pasi mamaja ime ka lindur në Kanada në vitin 1921. Megjithëse isha diplomuar për inxhinieri ndërtimi në Shqipëri, unë u largova atje si një askush, pasi në vitin 1992 më hoqën nga puna. Kam nisur Universitetin gati 40 vjeç, në vitin 1993, për Shkenca Kompjuterike. Aty isha shqiptari i parë që studioja dhe drejtuesit më thanë se ti do të jesh edhe një precedent në vazhdim, nëse del mirë me studime do iu japësh mundësinë në të ardhmen studentëve të tjerë shqiptarë që të studiojnë këtu. Pasi u diplomova, kam punuar në zyrën e statistikave atje. Ndërkohë 10 vite më parë përmes një konkursi u bëra pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes kanadeze. Aktualisht drejtoj këtë strukturë të rëndësishme në NATO” tha ai në Pasdite në Top Channel. Ristani tregon se asgjë nuk ka qenë e lehtë, por për të ecur përpara e ka ndihmuar ambicia e tij dhe dëshira për të mësuar gjithmonë. Ndihet krenar për të dyja pasaportat që mban, shqiptare dhe kanadeze, por zemrën asnjëherë nuk e ka larguar nga Shqipëria, për të cilën thotë se është gati të kthehet e të jap kontributin e tij për zhvillimin e vendit. “Gjithçka që kam bërë sigurisht që ia ka vlejtur. Nëse do të rikthehesha edhe njëherë në vitin 1992 nuk do të largohesha sepse e gjithë kjo rrugë ku kam arritur sot ka qenë shumë e mundimshme” tha Ristani në bisedë me Jonida Shehun.

Artikulli paraprak22 TË ZHDUKUR MUAJT E FUNDIT, 5 RASTET E TË MBYTURVE, MISTER SHKAQET
Artikulli tjetërTAP-I MERR MIRATIMIN FINAL GATI NISJA E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT