PREJ VITESH NUK PASTROHET, SHËRBEN PËR UJITJEN E TOKAVE TË NËNSHKODRËS. Kanali i Mjedës, një prej më të mëdhenjve në Qarkun Shkodër prej shumë vitesh është lënë në mëshirë të fatit.

Prej shumë kohësh ai kanal edhe pse me një rëndësi të madhe nuk pastrohet nga askush. Mjafton një vëzhgim i thjeshtë dhe menjëherë përballesh me imazhe aspak të mira. Pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij kanali i Mjedës është i mbushur me mbeturina të ndryshme dhe papastërti të cilat duke mos u pastruar ndër vite janë grumbulluar aty duke e kthyer gati në një venddepozitim mbeturinash. Kanali i Mjedës ka një rëndësi të madhe sepse funksioni i tij është ujitja e pothuajse të gjitha tokave bujqësore të NënShkodrës. Nis që në fshatin Mjedë të Bashkisë vau Dejës dhe përshkon fshatin Stajkë, disa fshatra të tjerë e po ashtu edhe zonën e Hajmelit, shkon deri në kufijtë e qytetit të Lezhës si dhe shërben për ujitjen edhe të tokave të Komunës Dajç. Në këtë mënyrë harta e ujitjes së tokave nga ai kanal është e madhe duke përfshirë pothuajse tërësisht NënShkodrën. Edhe pse shërben për një pjesë të konsiderueshme të Qarkut Shkodër, asnjëherë nuk ka patur investime serioze për atë kanal. Në fakt është detyrë e shoqatës së ujitjes për të bërë pastrimin e kanaleve të tilla por në mungesë fondesh një gjë e tillë nuk ndodh. Sa i përket pushtetit vendor, pra Bashkisë vau Dejës është dorëjashtë duke qenë se kanali i Mjedës është i nivelit të parë dhe nuk administrohet nga pushteti vendor por ai qëndror. Në këtë rast, përgjegjësia mbetet edhe për Ministrinë e Mjedisit e cila ndër vite nuk ka dhënë fonde për pastrimin e atij kanali. Për të mos mjaftuar dëmi mjedisor nuk mbetet vetëm për tokat bujqësore sepse mbeturinat e atij kanali përfundojnë edhe në lumin Drin duke qenë se ka një dalje në këtë lum. Në prag të sezonit të të mbjellave apo korrjeve, situata bëhet edhe më shumë problematike.