Kandidati i PD për Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni: Nuk i trembem intrigave e shpifjeve, jam në këtë betejë për votën e lirë dhe dinjitetin demokrat

Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka mbajtur një deklaratë publike ku ka theksuar përkushtimin e tij në mbrojtje të votës së lirë dhe denoncimin e asaj që e cilëson si ndërhyrje dhe deformim të procesit zgjedhor nga individë të lidhur me aferën famëkeqe “Dosja 184”.

“Jam në këtë sfidë për të folur hapur me qytetarët, me sinqeritet, si njëri prej tyre. Kauza që na bashkon është më e madhe se çdo emër dhe më e fortë se çdo intrigë. Ata që janë përfshirë në deformimin e zgjedhjeve nuk kanë të drejtë morale as politike të fshihen pas retorikës së rreme e shpifjeve”, tha Gjoni.

Duke u distancuar qartë nga çdo tentativë për intimidim politik, ai theksoi se nuk do të lejojë që demokratët të përulen përballë “kriminelëve elektoralë”, duke e konsideruar Partinë Demokratike si një forcë të guximit dhe të lirisë.

“Unë, Gjin Gjoni, qëndroj në këtë garë me ndërgjegje të pastër, kokën lart, dhe një qëllim të vetëm: të udhëheq PD-në drejt fitores dhe të mbroj vullnetin e qytetarëve. E ardhmja nuk ndërtohet me frikë, por me kurajo. Ndryshimin nuk e ndalin dot ata që janë përdorur nga Rilindja në ikje,” u shpreh ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Gjoni theksoi rëndësinë e bashkimit të demokratëve dhe besimit tek fitorja:
“Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Lezha! Rroftë Shqipëria!”

Artikulli paraprakPS AKUZA GJIN GJONIT, ULSI MANJA: KËRCËNIMI ME ARMË I FAMILJARËVE DHE SHTABIT TË KANDIDATES TONË I PATOLERUESHËM, RASTI PO HETOHET NGA SPAK
Artikulli tjetërBARAZIMI “DJEG” PARTIZANIN, EGNATIA SHKON NË FINALEN E FINAL FOUR, E PRET VLLAZNIA