Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë për shkak se janë kapur me kokainë. Operacioni i koduar ‘Selita’, ka vënë në pranga L. T., 33 vjeç dhe V. T., 28 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë.

Sipas policisë këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, Komunës së Parisit dhe Tiranës së Re.

Aksioni i policisë është zhvilluar në rrugën “Prokop Mima”, ku është ndaluar për kontroll automjeti tip “Smart”, me drejtues L. T. dhe pasagjer V. T.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e L. T, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 402.7 gramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike, 5 aparate celular dhe një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Tashmë dy të rinjtë do të përballen me akuzat për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.