Katër arrestime – Maqedoni, kapen 1 mln euro marijuanë e ardhur nga Shqipëria

Një sasi prej 108 kg marijuanë është sekuestruar nga policia e Maqedonisë, ndërsa lënda narkotike e shkuar nga Shqipëria kishte destinacion Maqedoninë. Ministria e Brendshme e Maqedonisë bën me dije se me këtë aksion ka prerë një kanal ndërkombëtar droge, ndërsa nëse do të shitej në tregun me pakicë, lënda narkotike do të kapte një vlerë prej 1 milion eurosh. Gjatë aksionit, katër persona janë arrestuar, një nga Kosova, një nga Shqipëria, ndërsa dy të tjerët nga Maqedonia. Të arrestuarve u është caktuar masa e sigurisë me 30 ditë paraburgim. Pas hetimeve të kryera janë ngritur dyshime se i akuzuari i parë se një 45 vjeçar nga Maqedonia bashkë me shtetasin nga Shqipëria dhe atë nga Kosova kanë siguruar marihuanën në Shqipëri, duke e kaluar fillimisht në Kosovë në fillim të këtij muaji dhe më pas në Maqedoni nëpërmjet kufirit të gjelbër në rajonin e Tetovës. Droga më pas do të dërgohej në Shkup në shtëpinë e një prej të arrestuarve. Lënda narkotike u gjet në 11 thasë, e ndarë në 210 pako. Policia ka sekuestruar edhe armë automatike, telefona celularë si dhe mjete të tjera.