Kapet anëtari i bandës së Niklës, shoku iu arratis nga burgu

Policia ka arrestuar Albert Stafukën 34 vjeç, pjesë e bandës së Niklës, të akuzuar për vjedhje me dhunë në bashkëpunim. Albert Stafuka ishte në kërkim në kuadër të operacionit ”Shënjestra” pasi më datë 21.12.2016 u ndaluan edhe 9 të tjerë, ndërsa edhe një tjetër është në kërkim. I arrestuari bën pjesë në grupin që merrej me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit, pronës, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve, teksa mes tyre ishte edhe një punonjës i burgut të Zaharisë. Në 21 dhjetor u arrestuan Klaudio Ismalaja, 22 vjeç, Arbër (Astrit) Rryçi, 38 vjeç, Edison Pula 21 vjeç, Edison Bami 26 vjeç, Ilir Caca 45 vjeç, punonjës i burgut të Zaharisë në Krujë Marklen Haka 25 vjeç, Muharrem Sheta 25 vjeç, Fadjol Anamali 30 vjeç dhe Arjan Ademi 36 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur O. C, 22 vjeç. Por njëri nga anëtarët e grupit, Edison Pula vetëm pak orë pas arrestimit u arratis nga burgu në Fushë Krujë, pasi arriti tu shpëtonte policëve. Banda e Niklës akuzohet për disa ngjarje të ndodhura vitet e fundit nga vjedhje e grabitje te tentativa vrasje. Të arrestuarit në 21 dhjetor 2016 ishin në kërkim pas tentativë për vrasje me eksploziv ndaj Gentian Bejtjës më 19 shtator të këtij viti. Gentian Bejtja njihej edhe si mik i Enver Stafukës, i cili u rrembye vite me pare dhe rezulton i zhdukur. 35-vjeçari dyshohet se së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Por po ashtu Bejtja, ish-polic i burgut të Fushë- Krujës, është i njohur për policinë për precedentë penalë në krimet ndaj pronës. Bejtja është arrestuar disa herë për armëmbajtje pa leje, për krime kundër pronës, por edhe për vjedhjen e automjetit të përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamajt, por pas procesit gjyqësor në Durrës, gjykata e shpalli atë pafajshëm.