
Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, në vendin ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Simoni Troshani.Me të mbërritur atje, ai vizitoi ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar vitet e persekutimit dhe sakrificën e qindra të dënuarve politikë.
Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve te shumte, përfaqësuesve komuniteteve fetare, dhe politikës.Në mesazhin e tij, ai rikujtoi momnetin e arrestimit e denimit si dhe u bëri thirrje shqiptarëve të jetojnë me besim, të jenë më pranë Zotit dhe ta duan njëri-tjetrin.
Teksa e konsideruan Spaçin nje simbol te qëndresës komuniste, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, pushtetit vendor dhe dioqezes Rreshen kërkuan më shumë vëmendje nga qeveria për ruajtjen e ish-burgut të Spaçit, i cili prej vitesh vijon të degradohet.
Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit.Në këtë dite nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë.Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë. Ai theksoi se kujtesa e atyre që vuajtën dhe humbën jetën në këtë kamp duhet të mbetet e gjallë, si një thirrje për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe paqes.Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë.
https://youtu.be/yTs6CdV5QLo






