
Kategoria e Dytë e futbollit shqiptar do të ngrejë këtë fundjavë siparin e edicionit të ri, me Grupin A që pritet të sjellë një garë të fortë dhe interesante që në javët e para. Në këtë kampionat, qarku Shkodër do të përfaqësohet nga pesë skuadra, duke e bërë një prej zonave me praninë më të madhe në këtë nivel të futbollit shqiptar. Basania, Vllaznia B, Tërbuni, Shiroka dhe Veleçiku janë pesë ekipet që do të zbresin në fushë këtë fundjavë, secila me objektiva dhe ambicie të ndryshme për edicionin e ri. Starti do të sjellë menjëherë edhe një përballje mes dy skuadrave të qarkut, pasi Vllaznia B dhe Tërbuni do të përballen me njëra-tjetrën ditën e shtunë. Një derbi që pritet të ketë interes të veçantë, jo vetëm për rivalitetin sportiv, por edhe për faktin se të dyja skuadrat kërkojnë ta nisin kampionatin me rezultat pozitiv.
Në transfertë do të luajë Shiroka, që do të përballet me Erzenin, në një sfidë që do të jetë testi i parë për skuadrën shkodrane. Shiroka vjen në këtë kampionat me ambicie dhe synon që të jetë konkurruese gjatë gjithë edicionit. Edhe Veleçiku do ta nisë kampionatin në transfertë, me skuadrën e Koplikut që do të udhëtojë drejt Lushnjës. Koplikasit do të kërkojnë të marrin pikë që në javën e parë, ndërsa në ditët e fundit kanë bërë edhe lëvizje në merkato, mes tyre rikthimin e mesfushorit shkodran Suad Bega.
Ndërkohë, Basania do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi përballë Eagles. Takimi është programuar për ditën e dielë, pasi fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej një ditë më herët. Skuadra e Bushatit synon ta shfrytëzojë faktorin fushë për ta nisur me këmbën e mbarë. Pesë skuadra nga qarku Shkodër në një kampionat të vetëm do të thotë edhe më shumë derbi, përballje dhe interes për futbollin e zonës së Shkodrës. Objektivat ndryshojnë nga një ekip te tjetri, por të gjitha do të kërkojnë të lënë gjurmë në një sezon që sapo nis dhe që pritet të sjellë një garë të fortë për ngjitjen në një kategori më lart.


