Sot shënohen 14 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.

Sot mbushen 14 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja (sot PL) qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Shpresa për drejtësi për 4 viktimat e 21 janarit 2011 ishte venitur, por ky 14-vjetor vjen ndryshe: me dosjen në duart e SPAK. Familjarët e viktimave të 21 janarit tashmë sytë i kanë te SPAK që ka nisur hetimet për një prej ngjarjeve më të rënda në vendin tonë, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Tashmë SPAK, do zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve.

SPAK ka nisur marrjen në pyetje për dosjen e 21 janarit, ku deri më tani janë pyetur ish-drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, si edhe Saimir Tahiri.

Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, por nëse akuzat provohen dhe faktohet se garda është urdhëruar të kalojë nga plumbat manovër në plumba të vërtetë nga Sali Berisha apo Lulzim Basha, ndëshkimi do të jepet për të gjitha jetët e humbura, si krim shtetëror!

Në 21 janar 2011 mbetën të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite.

Artikulli paraprakMOT I PAQËNDRUESHËM, KTHJELLIME DHE VRANËSIRA! PAS MESDITËS PRITEN RESHJE SHIU NË GJITHË TERRITORIN
Artikulli tjetër14 VITE NGA 21 JANARI, RAMA: ‘DREJTËSIA VONON POR NUK HARRON’! FËMIJËT E DËSHMORËVE PO BËHEN PRINDËR DUKE PRITUR DREJTËSINË