
Kryeministri Rama zhvilloi sot një bisedë me ekspertët e AKSHI-t të angazhuar në konfigurimin e platformës, për t’u njohur nga afër me funksionalitetet dhe risitë që ajo sjell.
Siç shpjegon Rama, “Pasqyrë Albania” është e konceptuar mbi katër shtylla kryesore, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin investimet publike dhe ecurinë e projekteve në zonën e tyre; të njihen me vendimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë; të ndjekin në kohë reale statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave, përfshirë edhe fazat e trajtimit të tyre në institucionet përgjegjëse; si edhe të mund të japin opinionet e tyre mbi projektaktet në konsultim publik.
Kryeministri Rama: Këtu jemi me djemtë e shkëlqyer të AKSHI-t, të cilët kanë zhvilluar një tjetër projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, i cili lindi si rezultat i reflektimeve pas manifestimeve të mëdha të protestës së fillimqershorit të flamingove dhe u premtua si një hap i rëndësishëm përpara në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit dhe anasjelltas për të adresuar një çështje kyçe ose më saktë “thembrën e Akilit” të këtyre marrëdhënieve që është humbja e ankesës apo e kërkesës në oqeanin e burokracisë dhe nga ana tjetër janë një sërë elementësh të tjerë pa diskutim të “Pasqyrë Albania”-s që e transformojnë të gjithë shtetin në sytë e qytetarit me një klik me një dritare të vetme.
U punua intensivisht, tani jemi përballë rezultatit që së shpejti do ta bëjmë të aksesueshëm për publikun.


