4 të arrestuarit në Shqipëri për “Terrorizëm” nuk pranojnë bashkëpunimin me drejtësinë.

Katër të arrestuarit e dyshuar për terrorizëm vetëm pak ditë para ndeshjes Shqipëri-Izrael nuk pranojnë bashkëpunimin me drejtësinë. Ata kanë pranuar se njihen me disa nga shtetasit shqiptarë të Kosovës, të arrestuar po ashtu, por nuk pranojnë të kenë qenë pjesë e ndonjë plani për sulm terrorist. Katër besimtarët musliman, të arrestuar me dyshimin e akteve terroriste, nuk pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë. ABC News ka mësuar se Antiterrori i Policisë së Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda i kanë ofruar në tre raste 4 të dyshuarve marrveshje bashkëpunimi, duke i ofruar edhe statusin e të mbrojturit. Por në asnjë rast të dyshuarit Bekim Protopapa, Xhezair Fishti, Ergys Faslija dhe Medat Hasani nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë. Ata kanë refuzuar statusin dhe marrveshjen me prokurorinë, me argumentin se nuk kanë asgjë për të thënë e treguar. Pasi kanë mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e tyre në përgatitjen për të kryer një akt terrorist. Nga ana tjetër, disa prej tyre kanë pranuar njohjen dhe komunikimin me disa prej shtetasve shqiptarë nga Kosova, të cilët janë arrestuar nga Policia dhe Prokuroria Speciale me dyshimin për terrorizim. Para hetuesve, 4 të dyshuarit kanë pretenduar se janë të pafajshëm dhe arrestimi i tyre është për shkak të paragjykimit fetare. Burimet thonë se 4 të dyshuarit kanë mohuar në mënyrë kategorike edhe njohjet personale me terroristët Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Heqimi, të cilët pretendohet se janë përfaqësuesit e shqiptarëve në luftën e Sirisë dhe Irakut. Ata i kanë thënë hetuesve, se dy personazhet i njohin vetëm nëpërmjet medias dhe në asnjë rast nuk kanë kontaktuar me ato qoftë me telefon apo rrjete të ndryshme sociale. Nga ana tjetër, sipas Policisë dhe Prokurorisë, pritet që autoritetet e drejtësisë së Kosovës të sjellin në Shqipëri me anë të letër-porosisë, deklarimet e 2 të arrestuarve, që kanë pranuar të bashkëpunojnë duke rrëfyer me detaje planin e sulmeve terroriste në Kosovë e Shqipëri. Burimet thonë se 4 të arrestuarit në Shqipëri dyshohet se kishin rol mbështetës ndaj shtetasve nga Kosova të cilët po planifikonin sulm me eksploziv në stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Artikulli paraprakDY TE PLAGOSUR NGA SHPERTHIMI I NJE BOMBOLE GAZI NE PEJE
Artikulli tjetërNJE I MOSHUAR PERPLASET NGA NJE MAKINE,SHOFERJA NJE GRUA