Një tjetër grup i specializuar në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike është goditur së fundmi nga Policia e Shtetit.

Uniformat blu kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Overseas”, hetimet për të cilin kanë zgjatur disa vite. Në realizimin e hetimeve me metoda speciale kanë bashkëpunuar Policia e Shtetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia italiane. “Në kuadër të procedimit penal të vitit 2013, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Overseas”.

U arrestuan shtetasit: Autor Deda (alias Lesaj), 38 vjeç, banues në Lezhë Dodë Prela, 53 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Lezhë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: R.M., 41 vjeç, banues në Kurbin; G.K., 47 vjeç, banues në Lezhë”, njofton policia. Për shtetasit në kërkim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka urdhëruar në datë 25 janar 2018, ekzekutimin e vendimit të datës 17.01.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale të “Trafikim të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimi disa vjeçar, i cili është shtrirë në Shqipëri dhe Itali, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes partnerëve ligjzbatues, është bërë e mundur që në periudha të ndryshme kohore, këtij grupi kriminal i janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit marijuanë, të trafikuara nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në rrugë detare. “Në kohë janë arrestuar edhe shtetas të tjerë. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se në marrëveshje mes tyre shtetasit Dodë Prela dhe Autor Deda janë financuesit dhe organizatorët kryesorë të këtij trafiku. Shtetasi R.M. ishte në rolin e personit që siguronte tregun e shitjes së lëndës narkotike në Itali, ndërsa shtetasi G.K.

ka qenë në rolin e magazinuesit të lëndës narkotike. Në rolin e transportuesit të arrestuar më parë janë shtetasit L.M., E.Z. dhe J.LL, të tre nga qarku Lezhë”, sqarojnë uniformat blu. Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.