Një zëdhënës i Pentagonit tha të hënën se avancimet teknike në programet e raketave balistike të Koresë së Veriut, përbëjnë një kërcënim të qartë dhe serioz për sigurinë e SHBA.

Zëdhënësi Jeff Davis tha se raketa u lëshua nga një shtrat i lëvizshëm. Komentet e Pentagonit pasqyrojnë shqetësimin dhe nervozizmin e zyrtarëve amerikanë, të cilët shohin se megjithë rezolutat e Këshillit të Sigurimit, Koreja e Veriut nuk po ndalet në zhvillimin e raketave të afta për të goditur territorin amerikan me armë bërthamore. Presidenti Donald Trump ka thënë se ai e sheh me përparësi të lartë mbrojtjen nga raketa të tilla, por administrata amerikane nuk ka thënë se si do të kundërpërgjigjet konkretisht ndaj lëshimit të raketës koreanoveriore të shtunën, përveçse e ka dënuar atë si një provokim të rrezikshëm. Zëdhënësi Davis tha se SHBA e gjurmuan trajektoren e raketës dhe vlerësuan se ajo përshkoi rreth 500 kilometra, para se të binte në Detin e Japonisë.

Davis tha se raketa duket se funksiononte me lëndë djegëse të ngurtë, që përbën një avancim teknologjik nga raketat me karburant të lëngshëm. Fakti që raketa u lëshua nga një shtrat i lëvizshëm paraqet një sfidë më të madhe për SHBA dhe aleatët e tyre në rajon, sepse kjo redukton kohën në dispozicion për kundërpërgjigje, në krahasim me nisjen nga një vend i caktuar.

Artikulli paraprakFINANCIMI I OJQ-VE NGA SHTETI, PROPOZIM ABSURD
Artikulli tjetërREKRUTIMI I QYTETARËVE TË KOSOVËS PËR EKSTREMIZËM BËHET NË BANESA PRIVATE