Një shtetas shqiptar me banim ne Greqi, është identifikuar si kreu i rrjetit ndërkombëtar që do të furnizonte me një sasi të madhe barnash narkotike luftëtarët e Shtetit Islamik.

Autoritetet greke njoftuan se kanë zbuluar në rrethinat e Athinës një laborator ku prodhoheshin barnat me emrin Captagon, që njihen gjerësisht si “droga e xhihadistëve”. Përdorimi i saj i stimulon luftëtaret e ISIS-it para operacioneve luftarake. Autoritetet greke sekuestruan 650.000 pilula Captagon, vlera e të cilave përllogaritet në rreth 10 milion euro. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan dy shtetas shqiptare, një turk dhe një grek.

Ndërsa janë shpallur në kërkim dhe tre persona të tjerë, përkatësisht, një shqiptar, një turk dhe një grek, i cili është një ish-oficer policie në pension. Sipas medias greke që citon burime nga organi i akuzës, shqiptari i shpallur në kërkim njihet me emrin Andrea, dhe prezantohej si biznesmen në fushën e ushqimeve. Por sipas mediave kjo ishte thjesht një mburojë për trafikun e barnave që 47-vjeçari po përgatitej të realizonte. Ai madje kishte porositur në një kantier në Athinë ndërtimin e një skafi të fuqishëm, të tipit Top Gun, me gjatësi 12.5 m. Me këtë skaf ai do të kalonte ngarkesën e barnave narkotike për në Turqi e prej andej do ta dorëzonte tek porositësit, që me gjasë i përkasin Shtetit Islamik. Policia greke, thotë se në bashkëpunim edhe me shërbime inteligjente të vendeve të tjerë, po punon për kapjen e kreut të grupit, që dyshohet se aktualisht ndodhet në Turqi dhe personave të tjerë që janë shpallur në kërkim.

Artikulli paraprakKAMPIONI I EUROPËS PRITET NË BASHKINË SHKODËR
Artikulli tjetër“DAR” ORGANIZON AKTIVITET PËR FESTËN E MËSUESVE