Kryeministri Edi Rama mori një letër ndjese nga kompania ajrore e Lufthansës, pasi është zbritur nga avioni me të cilin do të udhëtonte drejt SHBA-ve.

Pas raportimit të medias gjermane Spiegel për shoqërimin e kryeministrit shqiptar në aeroportin gjerman, sipas të cilit incidenti kishte ndodhur për shkak të refuzimit të mbajtjes së maskës nga Rama, Drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin Endri Fuga tha se është një lajm i vjetër dhe se nuk ishte maska shkak për ngjarjen duke publikuar dhe letrën e ndjesës.

“Shkëlqesi,
në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni zbritur nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ka shkaktuar ky ndalim. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa anëtarëve të ekuipazhit u perceptua si e papërshtatshme dhe nuk u trajtua me ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme”, – thuhet në letrën e ndjesës nga Deutsche Lufthansa AG, Lufthansa Aviation Center.

Spiegel shkruante se “Kryeministri shqiptar Edi Rama shkaktoi një skandal në bordin e avionit të Lufthansa gjatë valës së katërt të koronës”.

Sipas pasagjerëve, kreu i qeverisë shqiptare refuzoi ashpër të mbante maskën mjekësore mbrojtëse në fillim të dhjetorit përpara nisjes së një avioni nga Frankfurt am Main në Detroit, saqë ekuipazhi i kabinës duhej të thërriste kapitenin për ndihmë.

“Megjithatë, duke qenë se ai gjithashtu nuk ishte në gjendje të bindte kreun e qeverisë shqiptare për detyrimin e përgjithshëm për të mbajtur një maskë FFP2 ose një maskë kirurgjikale në vend të një maskë pëlhure, Rama u shoqërua nga policia federale. Vetëm pasi u bind nga një punonjës të Ministrisë së Jashtme Federale të thirrur me ngut në sallën e Senatorit, Rama më në fund pranoi të zbatonte rregulloret e parashikuara për korona, si të gjithë pasagjerët e tjerë në bordin e Lufthansa. Linja ajrore i mundësoi kryeministrit dhe delegacionit me 10 anëtarë një linjë tjetër udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“U hoq një gjobë e mundshme për shkelje të detyrimit për të mbajtur maskë në bord. Shefi i Lufthansa-s, Carsten Spohr, së fundmi e përmendi incidentin në një intervistë në Spiegel. Edhe pse shefi i linjës ajrore nuk e përmendi emrin Ramas, ai theksoi se nuk kishte asnjë trajtim preferencial kur bëhej fjalë për detyrimin për të mbajtur maskë – as për një kryetar qeverie”, shkruan Spiegel.

Artikulli paraprak“AKTE BURRACAKE”, SULMI NDAJ POLICISË SË KOSOVËS NË VERI, REAGON PRESIDENTI META
Artikulli tjetërZHBLLOKOHET MILAN, RIKTHEHET TE SUKSESI DHE MBAN GJALLË LUFTËN PËR TITULL