Deklarata e ministrin serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin se për të arritur stabilitet në rajon duhet që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet, ka nxitur reagime të shumta edhe brenda Serbisë.

Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV) akuzoi sot Vulin se kërkon të nxisë luftëra të reja në Ballkan me urdhër të presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Deklarata luftarake e ministrit Vulin se për stabilitetin e Ballkanit është e nevojshme që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet është një moto e sajuar keq e shefit të tij Vuçiç dhe idetë e tij të fundit për botën serbe”, tha zyrtarja e LSV Nevena Subotiç në një deklaratë me shkrim.

Ajo vlerësoi se për stabilitetin e Ballkanit nuk është e nevojshme që serbët të jetojnë në një shtet, por të ndalet politika luftarake e politikanëve ballkanikë të paaftë dhe arrogantë.

“Edhe një herë është treguar se mungesa e lustracionit, të cilin LSV e kërkoi pas ndryshimeve në vitin 2000, ishte fatale për zhvillimin e një jete të shëndetshme politike në Serbi dhe në Ballkan. Deklarata të tilla të papërgjegjshme dhe të rrezikshme mund të çojnë në një përshkallëzim të armiqësive”, tha Subotiç.

Ajo ka kërkuar nga presidenti i Serbisë që të distancohet nga deklarata të tilla nëse, siç tha ajo, nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Serbisë.

Artikulli paraprakNETFLIX PËRBALLET ME AKUZA TË FORTA PËR “STRANGER THINGS”: KANË SHFRYTËZUAR HOLOKAUSTIN PËR SKENAT E FILMIT, PËRDHOS KUJTIMET E GJALLA TË TË MBIJETUARVE
Artikulli tjetërPAS PROTESTËS SË 7 KORRIKUT, BERISHA MBLEDH KRERËT E DEGËVE TË TIRANËS, JA MESAZHI QË U DHA