Këshilli Kombëtar i Territorit miraton planet e 11 bashkive

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar planet e përgjithshme vendore të 11 bashkive të financuara nga Qeveria. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni në një deklaratë për mediat pas miratimit të vendimit tha se me këtë i jepet fund zaptimit të tokës. Gjermeni: 11 PPV sot,lajm i mirë për qytetarët e: Krujës, Kukësit, Gjirokastrës, Urës-Vajgurore, Skraparit, Poliçanit, Cërrikut, Librazhdit, Kurbinit, Divjakës, Korçës. Zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumenta planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit. Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore. Në 15 bashki të tjera ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit. Gjermeni i bëri apel bashkive që “Të jeni shumë të kujdesshme dhe të respektoni me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i keni hartuar vetë.“ Gjermeni: Sfida që kemi përpara tani fill pas miratimit, do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm.

Artikulli paraprakBËRI “SHQIPONJËN” POSHTË FLAMURIT GREK, DËBOHET I RIU SHQIPTAR
Artikulli tjetërARRESTOHET HAJDUTËT SHQIPTARË TË DIAMANTEVE. POLICIA U ZBULON THESARIN