Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka caktuar gjeneralin Herbert Raymond McMaster këshilltar për siguri kombëtare, i cili ka zëvendësuar ish këshilltarin e dorëhequr, Michael Flynn.

Gjenerali McMaster ka shkruar shumë analiza ushtarake dhe një ndër to është analiza me titull “Çarjet në themel: Transformimi i Mbrojtjes dhe premisat fillestare të njohurive dominuese në një luftë në të ardhmen”, ku ka analizuar luftërat në vitet ’90 në Bosnje dhe ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, raporton gazeta serbe “Blic”. Lidhur me Kosovën, McMaster ka shkrua se “Planet ushtarake për të bombarduar Jugosllavinë janë bërë nga maji i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999, ndërsa NATO kishte anashkaluar faktin se rezultati varet nga ‘përgjigjet jugosllave dhe iniciativat që ka qenë e pamundur të parashikohen’. Operacioni pesë ditor është rritur në fushatë disa muajshe për shkak të Sllobodan Millosheviqit”.

“Millosheviqi kishte parashikuar lëvizjet e NATO-s dhe i kundërshtoi ato. Ai zhvendosi trupat e tij në kufirin me Kosovën disa javë para sulmeve ajrore. Kur filloi fushata, ato forca dëbuan popullatën shqiptare në rrugë, konfiskuan dokumentet e tyre të identitetit, u plaçkitën pronat, dogjën shtëpitë e tyre dhe i shtynë ata si kafshët drejt kufirit maqedonas dhe shqiptar. NATO ishte e befasuar dhe e papërgatitur. Fushata ajrore kishte pasoja të padëshiruara – në fakt përshpejtoi veprimin brutal të spastrimit etnik që është dashur që ta ndalojë”. Ai ka treguar se pse fushata e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999 nuk shënoi sukses t plotë. “Më pak se 5 për qind të sistemeve luftarake serbe u shkatërruan në 78 ditët e bombardimeve. Përpjekjet e NATO-s për të sulmuar trupat tokësore të armikut nuk patën sukses. Situata e dështimit u bë e qartë vetëm pas përfundimit të luftës”, ka përfunduar McMaster. Sipas tij, shumë caqe janë goditur rastësisht dhe se Beogradi i dinte hapat e Aleancës.