Drande Deda është një nënë 52-vjeçe në Shkodër, e cila po përballet me jetën në kushtet më të vështira. Afro një vit e gjysmë më parë ajo humbi bashkëshortin dhe sot po rrit e vetme dy djemtë e saj të vegjël. Ata jetojnë në një shtëpi të vogël, në varfëri ekstreme. Lufta për bukën e gojës për të dhe dy djemtë e vegjël janë refreni i përditshëm. Klubi Vllaznia në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit dhe të Kreshmeve, ndërmori një nismë humanitare për këtë familje, duke dhuruar ushqime dhe duke premtuar se mbështetja për ta nuk do të ndalet këtu. Në këtë vizitë pranë familjes ishin futbollistët Bekim Balaj, Klinti Qato, Kevin Dodaj dhe Bismark Charles, të cilët jo vetëm dhuruan ndihma, por edhe pak buzëqeshje e shpresë për dy fëmijët.
Nëna e dy djemve falënderoi për këtë ndihmë klubin Vllaznia.
Futbollistët e Vllaznisë i ftuan dy fëmijët që të jenë në stadium në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos për të parë nga afër ekipin e tyre të zemrës dhe djemtë e pranuan me shumë entuziazëm për të përjetuar nga afër emocionet e futbollit.
Dy djemtë e vegjël tregojnë se e mirëpritën ftesën për të ndjekur Vllazninë në stadium, duke qenë se deri tani e kanë patur të pamundur të realizojnë këtë dëshirë të tyrën.
Të gjithë ata që duan të ndihmojnë Drande Dedën dhe dy djemtë e saj mund të japin kontributin e tyre, duke iu bashkuar kësaj nisme dhe duke dhënë mesazhin se futbolli është shumë më tepër se një lojë dhe se Vllaznia është shumë më tepër se një skuadër.

Artikulli paraprakTRITOL NË NJË SUBJEKT MINERAR NË MIRDITË
Artikulli tjetërNESËR SEANCË PLENARE, PD VENDOS TË MOS MARRË PJESË, BARDHI: ËSHTË E PALIGJSHME DHE PA REND DITE