“Shqiponja” Khabib Nurmagomedov nuk do të jetë më pjesë e MMA. Pasi mbrojti titullin kampion në këtë sport kaq të vështirë ndaj amerikanit Justin Gaethje, luftëtari nga Daghestani bëri dhe njoftimin e papritur të tërheqjes së tij. Ndeshja u mbyll në raundin e dytë pasi Khabib bëri një kapje shumë të bukur të kundërshtarit që e detyroi të dorëzohej. Në momentin kur gjyqtari shpalli fituesin dhe nofkën “i pamposhturi”, Khabib hodhi dorezat në mes të ringut duke njoftuar tërheqjen.

Me 29 fitore në 29 ndeshje, kampioni u shpreh se nuk mund të luftonte më pa pasur në krahë babanë dhe trajnerin e tij Abdul, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit disa javë më parë. Khabib tha se i kishte premtuar nënës së tij se do të tërhiqej dhe se është njeri i fjalës. ′′Ji afër me prindërit. Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë nesër”, u shpreh 32-vjeçari. Babai i tij ishte një nga njerëzit që e ndihmonte dhe e stërviste atë. “Ti nuk mund ta dish çfarë mund të ndodhë të nesërmen”, u shpreh ai pasi mori titullin dhe u tërhoq nga ky sport. Në këtë mënyrë Khabib Nurmagomedov e ka shtangur të gjithë botën e MMA me deklaratën pas fitores me amerikanin Justin Gaethje në atë që do të rezultonte ndeshje e fundit në karrierën e tij. 32-vjeçari nga Dagestani tha se do të dëgjonte këshillën e nënës së tij, për të mos luftuar më pas vdekjes së babit në korrik për shkak të koronavirusit.

Konkretisht pas fitores Khabib u shpreh: “Sot dua të them se kjo ishte ndeshja ime e fundit. Nuk ekziston më mundësia që unë të ngjitem në ring pa babin tim. Kam folur për tre ditë me nënën dhe i kam premtuar se do ta mbyll këtu. Më duhet të mbaj fjalën. Gjëja e vetme që dua nga ky sport është që ju të më mbani mend si numri 1 në luftimet kokë më kokë”. Nurmagomedov është i vetmi luftëtar që e mbyll karrierën pa humbje pasi në 29 ndeshje ai mori vetëm fitore.