Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili dje në një konferencë për rindërtimin iu përgjigj diplomates së SHBA që të mos i kujtonte detyrën e tij për mos kandidimin e kandidatëve me precedentë penalë në zgjedhjet e 25 prillit.

Kim me anë të një reagimi në rrjete sociale shprehet se pastrimi i listave të kandidatëve nuk duhet bërë sepse kështu thonë ambasadorët, por sepse politikanët e kanë detyrë zbatimin e ligjit shqiptar, në respekt të votuesve. Për më tepër Kim, shprehet se mos futja e kandidatëve me precedentë penalë është ajo që presin partnerët e Shqipërisë, NATO dhe BE. Ambasadorja Kim thekson se pastrimi i listave nga kandidatët problematik është shenjë respekti edhe ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet.

Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”,- shkruan Ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj. Kryeministri Edi Rama dje reagoi përsëri për thirrjen e ambasadores së SHBA, e cila kërkoi që kandidaturat e deputetëve në zgjedhjet e 25 prillit të jenë të pastra.

Gjatë konferencës për shtyp dje, Rama tha se ka respekt për ambasadoren, por nuk është e nevojshme t’i kujtojë punët dhe detyrën e tij karshi ligjit. Sipas kreut të qeverisë, ligji është i qartë, kush ka vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Megjithatë, Rama tha se ligji i dekriminalizimit është bërë me kompromis me partitë e dhe nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi shkel të drejtat themelore të individit.

“Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikanë detyrën time. Kam shumë respekt, ajo është në të drejtën e vet. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane. Nuk kam nevojë të ma kujtojnë punë asnjë ambasador.

Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur që të shtihet edhe në admimistratë. Ligji bazohet në deklarimin dhe mbi kontrollin”, tha Rama dje.

Edhe dy ditë më parë apelit të ambasadores, kryeministri iu përgjigj duke e cilësuar përgjegjësi personale të çdo kandidati nëse rezulton i dënuar apo me të shkuar kriminale për të mos kandiduar në zgjedhje, ndërsa shtoi se nga ana e PS do zbatohet ligji dhe se kush gënjen në vetëdeklarim ka përgjegjësi individuale, pasi sipas tij partitë politike nuk janë drejtori policie.