
Në njësinë administrative Dajç, pranë brigjeve të lumit Bunë, qëndron një nga monumentet më të rralla të trashëgimisë kulturore në veri të vendit. Kisha e Shirqit, me një histori shekullore që i ka mbijetuar kohës dhe shkatërrimeve, vijon të mbajë gjallë vlerat arkitekturore dhe historike të zonës. Muret e saj dëshmojnë për një të kaluar të pasur, por sot ky objekt kulti përballet me një tjetër sfidë mungesën e infrastrukturës.
Edhe pse potenciali turistik i këtij monumenti kulturor është i madh, numri i turistëve vendas e të huaj mbetet mjaft i ulët. Shkak kryesor për këtë, sipas banorëve të zonës, është rruga lidhëse dhe mungesa e sinjalistikës.
Gjendja e pafavorshme e infrastrukturës e bën të vështirë mbërritjen deri tek kisha, duke bërë që shumë vizitorë ta shmangin këtë destinacion.
Banorët e Dajçit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse për të rregulluar aksin rrugor dhe për vendosjen e sinjalistikës e cila mungon në pjesë të konsiderueshme të këtij segmenti që të drejton deri tek ky monument.


