Kisha katolike në Shkodër nënshkroi një marrëveshje binjakëzimi me bazilikën e Gjenecanos në kuadër të 556 vjetorit të shtegtimit të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra drejt Romës në Itali. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe rektori i Gjenecanos Ludovico Cembra.

Ky binjakëzim vjen edhe në kuadër të 30 vjetorit të ardhjes së Papa Gjon Pali II-të në Shkodër. Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra tha se Zoja e Këshillit të Mirë në vitin 1467 shtegtoi nga muri i Shenjtores rrëzë kalasë Rozafa për të mos rënë në duart e pushtuesve.

Arqipeshkëvi Massafra gjatë meshës së shenjtë në kishën e Zojës risolli në vëmendje shkatërrimin disa herë të këtij objekti kulti në hyrje të qytetit të Shkodrës, herë nga pushtuesit e herë nga komunistët.

Rektori i Gjenecanos Ludovico Cembra solli si dhuratë në Shkodër një pjesë të kornizës të Zojës së Këshillit të Mirë që qëndroi për 200 vite me figurën e saj.

Firmosja e binjakëzimit mes kishës katolike të Shkodrës dhe bazilikës së Gjenecanos është një moment i rëndësishëm historik për të dy institucionet e kultit.