TË MOS VOTOHEN DHE KANDIDOHEN NJËRËZ ME TË SHKUAR KRIMINALE DHE TË KORRUPTUAR. Ditën e sotme Kisha Katolike ka nxjerrë një qarkore ku ka dhënë një mesazh për zgjedhjet vendore të 21 qeshorit 2015.

Gjatë kësaj komunikate ata i bëjnë thirrje subjekteve politike mbi problematikat në vend. Ata kërkojnë nga forcat politike vullnetin e pakthyeshëm për dekriminalizimin e politikës në tërësi, dënojnë shitblerjen e votës dhe kërkojnë garantimin e një procesi të drejtë zgjedhjesh nga organet përkatëse: “Kisha katolike, si pjesë e gjallë e jetës së vendit, ne barinjtë dhe besimtarët e saj, reflekton vazhdimisht mbi të mirën e përbashkët të qytetarëve të Shqipërisë. Zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm në zhvillimin e rendit demokratik të një vendi. Ne jemi të vetëdijshëm se janë bërë hapa përpara në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve të ndershme e me standarde demokratike. Këtë e kanë konfirmuar edhe vendet demokratike mike të Shqipërisë. Kjo na bën krenarë e na jep shpresë për të ardhmen.Që këto standarde të përmirësohen gjithnjë e më shumë është e nevojshme të lexojmë e të reflektojmë mbi kërkesat e aktualitetit të shprehura nga zëri i shumë njerëzve të thjeshtë, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Me anë të kësaj letre qarkore dëshirojmë të vendosim theksin e të tërheqim vëmendjen e subjekteve politike, por edhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, mbi disa problematika që kërkojnë një zgjidhje para zgjedhjeve e disa të tjera pas zgjedhjeve. Së pari dëshirojmë të themi se duhet të tregohet nga forcat politike një vullnet i pakthyeshëm për dekriminalizimin e politikës në tërësi. Këto zgjedhje vendore janë një rast mjaft i volitshëm që të shfaqet hapur prej forcave politike vullneti politik për dekriminalizim. Prandaj në përcaktimin e kandidatëve të kihet parasysh gjetja e atyre kandidatëve të cilët nuk janë të përfshirë në një të kaluar kriminale dhe korruptive. Korrupsioni fatkeqësisht në këto vite ka përfshirë shumë persona të angazhuar në politikë. Ne urojmë që në këto zgjedhje të shkëputemi nga kandidatët që kanë qenë të korruptuar, që kanë blerë vota me para apo në forma të tjera, që kanë korruptuar të tjerë apo kanë favorizuar gjatë mandateve të tyre marrjen e fondeve publike në mënyrë të pandershme. Kisha Katolike në Shqipëri, besnike ndaj detyrës së saj dhe të mirës së vendit, do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunimin e saj me organizmat vendorë për çdo nismë që ka për zemër të mirën e përbashkët, zhvillimin integral të personit njerëzor, të familjes dhe të shoqërisë”, thuhet në deklaratë.