Ndërsa ritmet moderne dominojnë tregun muzikor, në Lezhë vazhdon të ruhet interesi për instrumentet tradicionale. Klarineta dhe fizarmonika po tërheqin gjithnjë e më shumë të rinj, të cilët po i zgjedhin si pjesë të formimit të tyre artistik.
Në shkollën Besëlidhja, nxënësit e drejtimit artistik punojnë çdo ditë për të përvetësuar teknikat e interpretimit dhe për të zhvilluar talentin e tyre muzikor. Përmes repertorëve të ndryshëm, që përfshijnë muzikë tradicionale, klasike dhe moderne, ata po dëshmojnë se këto instrumente mbeten të vlerësuara edhe nga brezi i ri.
Përveç përgatitjes në klasë, nxënësit janë pjesë e koncerteve dhe aktiviteteve kulturore, ku kanë mundësinë të prezantojnë punën dhe pasionin e tyre për muzikën.Mësuesit vlerësojnë interesin në rritje të të rinjve, ndërsa vetë nxënësit e shohin muzikën si një mënyrë për të shprehur emocionet dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre artistike.
Nëpërmjet klarinetës dhe fizarmonikës, të rinjtë e Lezhës po mbajnë gjallë një traditë të rëndësishme kulturore, duke e përcjellë atë me energji dhe frymë bashkëkohore tek brezat që vijnë.

Artikulli paraprakBASHKIA SHKODËR PËRURURON KOPSHTIN “1 QERSHORI”
Artikulli tjetërVLLAZNIA MPOSHTET NGA ELBASANI DHE E MBYLL SEZONIN ME HUMBJE