Vllaznia fitoi me Kukësin ndeshjen direkte por këtë javë do të ketë një tjetër përballje vendimtare sa i përket pjesëmarrjes në Kupat e Europës përmes kampionatit që lidhet me renditjen në tabelën e klasifikimit. Kuqeblutë do të luajnë klasiken e futbollit shqiptar në transfertë me Tiranën. Trajneri i Vllaznisë Elvis Plori shprehet se pavarësisht se ekipi i tij për momentin ndodhet në vendin e tretë, ende asgjë nuk ka përfunduar dhe duhet një rezultat pozitiv në kryeqytet.

Trajneri Plori thotë se Vllaznia nuk duhet ta mbajë mendjen nëse Tirana do të tolerojë apo jo në lojën e saj duke qenë se ka siguruar titullin kampion. Tekniku shkodran i kërkon lojtarëve angazhim maksimal si e vetmja mënyrë për të arritur objektivin në këtë përballje.

Fitorja ndaj Kukësit shprehet tekniku Plori tregon se Vllaznia ka mundësi që të fitojë edhe ndaj Tiranës në transfertë por për ta bërë këtë përqëndrimi i lojtarëve duhet të jetë në çdo sekondë.

Vllaznia është në vendin e tretë me 49 pikë, po aq sa ka edhe Partizani ndërsa edhe Kukësi është shumë afër, vetëm 3 pikë larg ndaj Europa është ende e hapur për këto 3 ekipe që mesa duket do të rivalizojnë në këto 3 javë të fundit.