KLD pezullon nga detyra gjyqtaren

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur zyrtarisht hetimin ndaj gjyqtares së Gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonishme të mbajtur këtë të martë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për ekzekutimin e vendimit të gjykatës ndaj një gjyqtareje. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurimit personal të “pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu, me detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pas diskutimeve, KLD-ja vendosi pezullimin e përkohshëm nga detyra të gjyqtare, deri në përfundimin e procedimit penal në ngarkim të saj “Urdhër mbi fillimin e hetimit disiplinor ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, Pajtime Fetahu”, shkruhet në faqen zyrtare të KLD-së, që ka bërë publik edhe vendimin. Pezullimi dhe hetimi ndaj Gjyqtares Fetahu nisi pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”. Në video, me 2000 euro Fetahu merrte përsipër të nxirrte me minimumin e dënimit një person që ndodhej në paraburgim. Pas kësaj, përveç vendimit të trupit gjykues, Fetahu merrte gjithashtu përsipër “ta rregullonte” edhe me prokuroren, që kjo e fundit të mos bënte rekurs. Për këtë, kërkoheshin edhe 1500 euro. Më herët në pranga përfundoi oficeri i Policisë së Burgjeve, Behar Kola, i cili kishte rolin e sekserit.