KLD shkarkon kreun e Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar me 14 vota pro dhe asnjë kundër Guximtar Boçin si kryetar i Gjykatës së Gjirokastrës. Gjithashtu, KLD-ja ka vendosur edhe pezullimin e tij nga detyra e gjyqtarit. Vendimi për shkarkimin e tij erdhi pas publikimit të një audio-regjistrimi mbrëmjen e shkuar ku ai i kërkonte një qytetareje favore seksuale në këmbim të dhënies së një vendimi gjyqësor në favor të saj. Gjithashtu, KLD-ja ka vendosur të inspektojë vendimet e gjyqtares së Gjirokastrës, Blerta Çibuku. Mbledhja urgjente e KLD-së është bërë me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. ‘Është thirrur me emergjencë mbledhja e KLD-së. Sot në orën 13:00 do të ketë një mbledhje dhe do të ketë vendimmarrje përkatëse. Propozimi mbetet ai që kam thënë mbrëmë. Ngjarja e gjyqtarit është e rëndë, e turpshme dhe e papranueshme. Aq më tepër për një gjyqtar apo kryetar gjykate. Besoj që KLD sot do të ketë vendimmarrjen e duhur” “Ky kryetar gjykate nuk mund të jetë më. Nuk mund të jetë as gjyqtar. Do kërkoj të pezullohet derisa të plotësohen procedurat për shkarkimin e tij” Një natë më parë, emisioni investigativ “Stop” publikoi një bisedë të regjistruar midis kreut të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili i kërkon lidhje një gruaje të divorcuar me qëllim dhënien në favor të saj në një proces gjyqësor që gruaja kishte hapur në Gjykatën e Gjirokastrës.