KLP-KLGJ, ligjit i shtohen 104 amendamente, PD i kundërshton

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor i cili pritet të miratohet sot ka ndryshuar në rreth 104 nene të tij. Ndryshimet janë bërë nga mazhoranca në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi me asistencë të Euraluis dhe Optade. Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj si antikushtetuese, dnërsa këto ndryshime sipas saj e kanë thelluar konfliktin, pasi deputeti Bylykbashi tha se ndërhyrjet riciklojnë elementë të tjerë antikushtetues. Amendamentet parashikojnë një komision ad hoc i cili do të filtrojë të gjithë kandidaturat që kanë të drejtë të konkurojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqsor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Më parë procesin e flitrimit e bënin dhoma e avokatisë e noterëve dhe juristëve.I mbetur ende pa miratuar, projektligji për organet e sistemit të drejtësisë, 24 orë përpara seancës, do të përballet me 104 amendamente të propozuara nga deputetja Vasilika Hysi. Por a sjellin ndryshim këto amendamente në zgjidhjen e ngërçit PD – PS për projektligjin? I konsideruar edhe si i fundit i paketës me 7 ligjet organike që vënë në zbatim edhe kushtetutën e 21 Korrikut, projektligji per organet e sistemit të drejtësisë, mbetet ende në rendin e ditës parlamentar për t’u votuar. Teksa pritet ende të vendoset nga komisioni i Venecias, fati i ligjit të Vettingut të ankimuar në gjykatën kushtetuese nga Partia Demokratike, deputetja Vasilika Hysi, antare e komisionit të reformës në drejtësi, ka depozituar pranë Kuvendit një listë prej 104 amendamentesh për projektligjin e mbetur. Edhe pse ishte Vasilika Hysi ajo e cila hodhi poshtë këto pretendime duke mohuar ekzistencën e një ngërçi, amendamentet e propozuara prej saj për këtë projektligj, duket se i referohen edhe atij ngërçi të krijuar e të papranuar, mbi mënyrën e përzgjedhjes së antarëve të Këshillit të Lartë Gjykqësor dhe atij të Prokurorisë. Opozita revoltën e saj e bazoi në përfshirjen e instancave si Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ajo e Noterisë, trupa e pedagogëve të drejtësisë, ajo e Shkollës së Magjistraturës dhe shoqërinë civile, në filtrimin paraprak të kandidatëve për KLGJ dhe KLP, gjë e cila për demokratët bie ndesh me Kushtetutën e 21 Korrikut dhe të drejtat dhe liritë e njeriut në bazë të konkurencës së lire. Por ajo çka është sjellë në tavolinë nga deputetja Hysi përmes 104 amendamenteve, duket se verifikimin paraprak të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët për antarë, ia lë në dorë një komisioni të ri AD HOC, të përbërë nga avokati i popullit, kryetari i këshillit të emerimeve ne drejtesi, dy avokatë dhe një antar i rregullt i Akademisë së Shkencave shoqërore. E thënë ndryshe, verifikimin paraprak të plotësimit të kritereve profesionale e personale të kandidatëve për antarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij në Drejtësi, sërish mazhoranca propozon t’ia lënë në dorë, jo më Kuvendit, si parashikohet në nenin 147 të kushtetutës, por nje organi që i paraprin vendimit kuvendor. Ishte ky një nga kundërshtitë më të forta të demokratëve për projektligjin, të cilët e shohin si të papranueshëm delegimin e tagrit të Kuvendit për verifikim paraprak të kandidatëve, në dorë të një apo disa organeve, qoftë ky komisioni i ri i propozuar në amendamentet e zonjës Hysi.