
Klubi Vllaznia vijon që të zhvillojë mbledhje e takime absolutisht jashtë syve të publikut.
Nuk dihet se cila është arsyeja që mbledhja e radhës e bordit të Vllaznisë bashkë me drejtuesit ku mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë Voltana Ademi zhvillohen në fshehtësi totale pa ditur askush asgjë. Ka qenë vetë kryebashkiakja ajo e cila sapo mori detyrën shigjetonte drejtuesit e Vllaznisë, ish administratorin dhe drejtorin sportiv që vazhdon ende të jetë aty për mungesë transparence dhe keqmenaxhim. Ajo që po ndodh është se pothuajse po përsëritet e njëjta histori. Transparenca mungon totalisht. Në një njoftim në faqen zyrtare të Vllaznisë thuhet se janë shqyrtuar 5 pika dhe sikur të mos ishte asgjë flitet për bilancat financiare të 2014 dhe 2015, raporte këto të përgatitura nga eksperti kontabël. Por në fakt lind pyetja se çfarë fshehin ato raporte financiare që i përkasin një periudhe për të cilën vetë kryebashkiakja akuzonte publikisht, përse nuk bëhen të ditura dhe diskutohen fshehurazi në zyrat e bashkisë. Në vijim në njoftimin e thatë dhe pa informacion të klubit thuhet se është diskutuar për strukturën administrative bashkë me strukturën e akademisë. Të gjithë e dinë se klubi Vllaznia ka një strukturë që çalon dhe aspak profesionale në shumë aspekte si atë juridik por edhe atë sportiv mbase. Për të vijuar edhe me akademinë, një tjetër strukturë për të cilën kryebashkiakja ka shfaqur publikisht pakënaqësitë e saj. Një akademi totalisht e dështuar në këto 5 vite nuk thuhet asnjë gjysmë fjale se çfarë ka ndodhur. Dhe në fund thuhet se bordi ka siguruar anën financiare për vazhdimësinë. Një gafë qesharake sepse realisht bordi nuk siguron asgjë por vetëm bën propozime që më pas miratohen apo jo nga këshilli bashkiak. Në mbyllje flitet edhe për ardhjen e lojtarëve cilësor ndërsa çdo ditë trajneri Armando Cungu është shprehur aspak i kënaqur me lojtarët dhe situatën e deritanishme. Vllaznia është e të gjithëvë dhe të gjithë kanë të drejtë të informohen e jo gjithçka të mbesë në tryezat e këtyre takimeve të fshehta.






