Rijad Kobiljar nuk është më pjesë e Vllaznisë. Mesfushori boshnjak, i cili u prezantua te kuqeblutë vetëm më 16 korrik, është transferuar te klubi i Bahreinit, Muharraq SC, duke i dhënë fund në mënyrë të papritur aventurës së tij në Shkodër. Lajmi është tashmë zyrtar, pasi vetë KF Vllaznia ka njoftuar transferimin e 30-vjeçarit te skuadra nga Bahreini. Kobiljar ishte afruar në Shkodër si një nga përforcimet e rëndësishme të merkatos së verës dhe kishte kryer fazën përgatitore me skuadrën e trajnerit Edi Martini. Mesfushori boshnjak ishte përfshirë në planet e kuqebluve për sezonin e ri, por qëndrimi i tij në Shkodër zgjati vetëm pak më shumë se një muaj. Tashmë, në mënyrë të papritur, ai do të vijojë karrierën në Bahrein, te Muharraq SC. Lëvizja vjen në një moment kur merkatoja e verës është në ditët e fundit dhe Vllaznia duhet të rishikojë menjëherë planet për repartin e mesfushës. Sipas informacioneve që disponohen, në adresë të klubit shkodran ka ardhur një ofertë nga Bahreini dhe në kontratën e Kobiljarit dyshohet se ishte parashikuar edhe një klauzolë që e lejonte largimin në këto kushte.

Burime bëjnë me dije se shuma që pritet të përfitojë Vllaznia nga transferimi është rreth 50 mijë euro, një shifër që ende nuk është bërë publike zyrtarisht. Largimi është veçanërisht i pazakontë për faktin se Kobiljar ishte afruar si lojtar për sezonin e ri dhe jo si një futbollist me qëndrim afatshkurtër. Në fakt, vetëm pak javë më parë Vllaznia e prezantonte si një përforcim me eksperiencë për mesfushën, pas eksperiencës së tij te Tirana. Kjo lëvizje pritet të detyrojë drejtuesit kuqeblu që të hidhen menjëherë në merkato për të gjetur një zëvendësues. Me mbylljen e merkatos gjithnjë e më pranë, koha në dispozicion është e kufizuar dhe Vllaznia duhet të marrë një tjetër vendim të shpejtë për të mos krijuar një boshllëk në organikë. Kobiljar largohet kështu nga Vllaznia pas një periudhe shumë të shkurtër, ndërsa aventura e tij në Bahrein do të jetë kapitulli i radhës, teksa në karrierën e tij ka luajtur edhe në Bosnje-Hercegovinë, Turqi, Slloveni, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara. Një largim i papritur për një futbollist që vetëm pak javë më parë ishte prezantuar si pjesë e projektit të ri të Vllaznisë, por që tashmë është zyrtarisht lojtar i Muharraq SC.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakBERISHA: TAKIMET NË POGRADEC? AHENG DHE MASHTRIME, ‘FJALIMET I NIS DHE I MBYLL ME HALE’. NUK IA MBAN TË DALË PARA GAZETARËVE
Artikulli tjetërFUSHË ARRËZ, KULTIVUAN 172 BIMË KANABIS, ARRESTOHEN BABË E BIR