Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka mohuar se Shqipëria është në gjendje alerti nga vendet e rajonit si Greqia.

Mediat publikuan një ditë më parë një procesverbal të mbledhjes së fundit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Sipas këtij dokumenti kreu i komisionit Spartak Braho e pyet ministren Kodheli për një stërvitje të ushtrisë greke në afërsi të kufirit shqiptar. Këtij shqetësimi ministrja e mbrojtjes iu përgjigj duke thënë se “Idea se Shqipëria kërkon të futet në BE nuk do të thotë se nuk duhet të jetë në gjendje alerti ndaj çdo gjëje që bëjnë fqinjët”. E pyetur se në çfarë alerti ndodhet vendi, ministrja Kodheli tha se ka të bëjë me rrezikun e refugjatëve nga vendet e lindjes dhe asgjë tjetër. Ministrja Kodheli duke iu referuar stërvitjes së ushtrisë greke në kufirin shqiptar e quajti pozitive duke thënë se vendet e NATOS bëjnë mirë që janë në gatishmëri për çdo rrezik të mundshëm. Nga ana tjetër ministrja sqaroi se nuk ka asnjë kurdisje ndaj Shqipërisë nga vendet fqinje. Lidhur me çështjen e 1300 kontinierëve me plehra që dyshohet se janë kaluar nga Italia për t’u groposur në Shqipëri ministrja Kodheli tha se kjo çështje nuk është pjesë e komisionit të sigurisë.