Kodheli në Bruksel: Shqipëria trupa ushtarake në Letoni

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli po merr pjesë në Takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që po zhvillohet në Bruksel, në datat 26-27 tetor 2016. Në ditën e parë të takimit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s trajtuan dhe morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Në veçanti, ata diskutuan mbi frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense). Në këtë pikë, vendet aleate shqyrtuan implementimin e vendimeve të Samitit të Varshavës, në veçanti mbi vendosjen e katër grup-batalioneve në vendet baltike dhe në Poloni. Për këtë qëllim, aleatët deklaruan kontributet e tyre për pjesëmarrje me forca ushtarake. Në ndërhyrjen e saj mbi këto çështje, Kodheli nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të materializojë vendimet e marra në Samitin e Varshavës, për një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO-s. Në këtë drejtim, ministrja deklaroi se Shqipëria ka identifikuar kapacitete në dispozicion të saj dhe pritet t’i bashkëngjitet me personel ushtarak grup-batalionit të udhëhequr nga Kanadaja, në Letoni. “Vendi ynë do të vijojë bashkëpunimin me vendet pjesëmarrëse në këtë forcë (në veçanti me Kanadanë dhe Letoninë si vende udhëheqëse dhe pritëse respektivisht), për të specifikuar detajet dhe elementët kryesorë të kontributit tonë. Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, ku spikat një kompani e deklaruar për periudhën 2016-2018 në Task-Forcën e Përbashkët të Reagimit Shumë të Shpejtë të NATO-s (VJTF). Në këtë kuadër, ky vit shënon pjesëmarrjen më të madhe të Forcave tona të Armatosura në stërvitjet dhe trajnimet e Aleancës.”- tha ministrja Kodheli, e cila gjithashtu theksoi nënvizoi vijimin e vendit tonë në këtë trajektore në rritje kontributesh, për mbrojtjen e popullsisë, territorit dhe vlerave të Aleancës. Gjatë ditës së parë të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ministrja Kodheli zhvilloi një takim trepalësh me homologun e saj kanadez, z. Harjit Singh Sajjan dhe atë letonez z. Raimonds Bergmanis. Në fokus të takimit ishte grup-batalioni i udhëhequr nga Kanadaja në Letoni dhe kontributi ynë në të. Ministrat ndanë mendimin se vendosja e forcës së përparuar të NATO-s në lindje, është një tregues i solidaritetit, unitetit dhe kohezionit të Aleancës. Ministrja e Mbrojtjes theksoi se vendi ynë ka identifikuar kapacitetet në dispozicion për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët. Ministrat e Mbrojtjes ranë dakord që stafet respektive të jenë në kontakt për të adresuar të gjithë elementët e nevojshëm. Ministri Sajjan falënderoi ministren Kodheli për kontributin e Shqipërisë dhe theksoi se vendi ynë ka treguar gatishmëri dhe përgjegjësi në mbështetje të angazhimeve të NATO-s, në çdo rast kur ka qenë nevoja. Gjatë Ministerialit pritet të zhvillohet dhe një takim njohës/koordinues nëpërmjet të gjitha vendeve që do të kontribuojnë me forca në këtë batalion.

Artikulli paraprakMIRATOHET FONDI PER PROJEKTIN E PORTIT NE KAVAJE
Artikulli tjetërBOMBARDIMET NE SIRI,20 VIKTIMA,SHUMICA FEMIJE