Tashmë është zyrtare dhe trajneri Christian Panucci do të ketë mundësinë të shohë ekipin e tij në fushën e blertë në një tjetër ndeshje miqësore para nisjes së kualifikueseve të “Euro 2020”. Kundërshtari do të jetë Norvegjia, një test real për forcën e kuqezinjve tanë, që vijnë pas një triumfi ndaj Turqisë në Antalia me rezultatin 2-3.

Mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj norvegjeze është arritur marrëveshja dhe njoftimi vjen nga vetë FSHFe cila bën më dije : “Federata Shqiptare e Futbollit dhe homologia e saj norvegjeze kanë arritur akordin mes tyre për të luajtur në fund të muajit mars një ndeshje miqësore, në vendin tonë. Më 26 mars (ora mbetet per tu konfirmuar) do të zhvillohet në “Elbasan Arena” takimi miqësor mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Norvegjisë. Kjo datë e lirë për ndeshje miqësore do të shërbejë si një tjetër test për ekipin e drejtuar nga trajneri Panuçi.

Në përballjet e ekipit kombëtar, ballafaqimi i parë kundër Norvegjisë daton në vitin 1998, në Oslo, e cila është mbyllur me rezultatin 2-2, ndeshje e vlefshme për eleminatoret e Euro 2000. Me Norvegjinë Shqipëria është ndeshur 4 herë, ku ka fituar një herë (me gol të Salihit në Norvegji), ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë. Tashmë pritet një tjetër përballje, këtë radhë miqësore. Ndërkaq, në fund të janarit, Shqipëria do të njohë kundërshtarët e saj në grup për UEFA Nations League.”