
Kinema “Republika” në Shkodër hapi dyert për premierën e komedisë “Dashuri me këste”, me regji të Gert Palalit. Mes shumë emocionesh, regjizori Gert Palali shprehet shumë i lumtur për realizimin e projektit të tij të parë kinematografik ndërsa ndihet me fat për bashkëpunimin me shumë aktorë të shquar të humorit.
Për aktorët emocionet janë të shumta ndërsa vlerësojnë shumë pozitive eksperiencën në këtë projekt. Filmi është xhiruar në fshatin Sheldi, 18 km larg Shkodrës.
Filmi tregon historinë e tre miqve të cilët përpiqen të ndryshojnë jetën e tyre duke shkruar një këngë dhe ndërtuar një restorant për të promovuar turizmin në fshatin e tyre. Këto përpjekje marrin një kthesë të papritur me ardhjen e një aktoreje me famë botërore që vjen për xhirime në fshat, duke i përfshirë ata në stafin e saj dhe duke i futur në një botë të re plot sfida dhe eksperienca të reja.