Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë sot në një konferencë për media, prej ku ka thënë se ka një rritje të rasteve të reja ditore, për shkak të virusit Delta.

Shefja e ISHP, Albana Fico, deklaroi se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 që ishte një javë më parë.

Sipas Ficos, “masat nuk kanë ndryshuar, por duhen zbatuar ato që janë, si përdorimi i maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena”.

“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 që ishin një javë më parë. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur nga 5573 në 5792, që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara.

Sa i përket pozitivitetit të mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52 me 48. Raporti i fataliteteve është 1.8%. Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë bashkitë me incidencën më të lartë”, tha Fico.

Shkak për rritjen e infektimeve është bërë qarkullimi masiv i variantit Delta në vend, që është një variant shumë herë më i transmetueshëm se variantet e tjera të virusit Covid-19.