Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur këtë mesditë për të njoftuar masat e reja më shtrënguese kundër koronavirusit.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që një ditë më parë paralajmëroi shtrëngim të masave anti-Covid, për shkak të rritjes së shifrave javët e fundit.

Manastirliu: Jemi sot në një moment sa delikat, aq edhe të rëndësishëm. Ka dyshime të arsyeshme se kemi një qarkullim të mutacioneve të reja të virusit Covid-19. Jemi në një situatë ku me gjasë prej këtyre varianteve të reja kemi shtim të infeksioneve. Kushtet e dimrit e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën.

Kemi shtim të infektimeve, ulje të moshës së të prekurve. Kjo ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës kombëtare, misioneve në banesë. Kjo situatë në ditët e fundit është shoqëruar edhe me shtim të rasteve në spitale dhe rritje të pacientëve në terapi intensive.

Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar situatën dhe mbi bazën e një analize shumëplanëshe, ka vendosur ditën e sotme këto masa: ndalimi i qarkullimit nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të urgjenca dhe punës. Kjo do të jetë për një periudhë 14 ditore. Kjo masë do të nisë nga dita e enjte.

Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë, Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz do të aplikojnë mësimin online.