Komunikimi i Javës – Rama: PD çoi në Kushtetuese Vettingun për të vonuar hapjen e negociatave

Duke theksuar se tri vite më parë, Shqipëria ishte një shtet i pa reformuar dhe se kishte një imazh të keq ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama e përqendroi tek çelja e negociatave me Bashkimin Evropian “Komunikimin e Javës” në Facebook. Rama tha se opozita po na turpëron ndërsa dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i Vettingut është bërë me qëllim të që bllokojë çeljen e negociatave. Rama: Kush mund ta imagjinojë për shembull se negociatat do të çelen normalisht nëse kur ekipet do të jenë gati për t’u ulur në tavolinë, nuk do të ketë nisur zbatimi i ligjit të Vottingut. Askush me dy fije mend në kokë, nuk e imagjinon dot. E dinë këtë edhe dritëshkurtrit që e kanë bllokuar përkohësisht Vettingun me një kërkesë të turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe me sa duket me një qëllim edhe më të turpshëm për të vonuar negociatat, për të vonuar drejtësinë. Nga ana tjetër, s’ka forcë arsyeje që ta pengojë, kazanin e broçkullave të fillojë të ziej tanimë përditë nga gënjeshtrat dhe sajesat, e atyre që qëllimin e tyre e kanë shpallur prej tre vjetësh; të çorodisin dhe të mërzisin shqiptarët me shpresën se çorodija dhe mërzija do të bëhen vota kundër qeverisë.