Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur qëndrimin e tij për zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke iu bërë thirrje qytetarëve të shprehin qëndrimin e tyre, pra të votojnë me vullnet të lirë. Në një deklaratë KMSH thekson se vendi ynë ndodhet në një proces tepër të rëndësishëm dhe se qëndrimi i tyre është si gjithmonë neutral, por i rëndësishëm është procesi dhe që fushata të kalojë e qetë dhe korrekte.

Sipas KMSH, shitja e blerja e votës është përçmim për dinjitetin njerëzor dhe më tej bën thirrje për ruajtjen e dinjitetit njerëzor si një amanet nga Zoti. Ja qëndrimi i plotë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021:

“Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë! Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore. Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proçes tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, NEUTRAL, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi. Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte. Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti.

VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet. Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!

Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët! I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë”.

Një deklaratë për ndaljen e fenomenit të shit-blerjes së votës bëri edhe kisha katolike e Shqipërisë përmes një deklarate të Konferencës Ipeshkvnore duke i kërkuar qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime si dhe duke iu bërë thirrje që të mos përfshihen në fenomenin e shit-blerjes së votës si dhe të mos votojnë ato kandidat me të kaluar të dyshimtë.