
Një mbrëmje muzikore që solli në të njëjtën skenë traditën korale shqiptare dhe atë europiane u zhvillua në sallën “Mikel Koliqi” të Famullisë së Shkodrës.
Koncerti bashkoi Charité Chor Berlin, nën drejtimin e Adrian Emans, dhe Korin Polifonik “Prenkë Jakova”, nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Shllaku.
Bashkëpunimi mes dy koreve u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin kulturor dhe promovimin e muzikës korale.
Programi artistik ndërthuri repertorin europian me atë shqiptar. Publiku pati mundësi të dëgjonte vepra të kompozitorëve të njohur si Johann Sebastian Bach dhe Robert Schumann, krahas krijimtarisë së Ramadan Sokolit, Memli Kelmendit, Prenkë Jakovës, At Martin Gjokës dhe Gjon Shllakut.
Koncerti u ndoq me interes nga publiku shkodran, ndërsa interpretimet u shoqëruan me duartrokitje të gjata.
Përmes këtij bashkëpunimi, dy ansamblet korale sollën një mbrëmje të veçantë artistike, duke dëshmuar edhe një herë rolin e muzikës në afrimin mes kulturave shqiptare dhe europiane.


