Kisha në Arrën e Madhe në Shkodër mirëpriti një koncert me muzikë shpirtërore kishtare sllave si një lutje për paqen në vendet që ndodhen në luftë, kryesisht konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ky koncert bëri bashkë një artist nga Rusia, Ukraina si dhe një artiste të Malit të Zi me prejardhje shqiptare….

Dmitrij Grinikh, baritone me prejardhje ruse dënon luftën ndaj Ukrainës ndërsa pianisti ukrainas Nikita Loyko shpreson që lufta të mbarojë sa më shpejt…

“Lufta në Ukrainë nga Rusia një gjë që nuk është e mirë. Babai im është rus por nëna ime është ukrainase dhe kemi disa vite që jetojmë në Malin e Zi. Origjina ime është ruse por luftën e cilësoj si të gabuar. Arti sjell paqen, sjell bashkimin dhe jo luftën. Kjo është arsyeja pse jemi këtu me këtë koncert. Kishim muzikë polake, ukrainase, çeke, ruse sepse arti nuk ka ngjyrë. Mesazhi është për t’u afruar me njëri tjetrin”.

“Koncerti ishte i mrekullueshëm. Unë kam 5-6 vite që jetoj në Malin e Zi. Jemi shumë të mërzitur për luftën në Ukrainë. Ne kemi të dashurit tonë në të dy këto shtete Ukrainë dhe Rusi si dhe shpresojmë që lufta të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Sopranoja malazeze me prejardhje shqiptare Sara Jovanoviq u ndje shumë mirë në tokën e të parëve të saj….

“Për mua ishte shkëlqyeshëm, zemra ime është plot me këtë publik dhe besoj që në të ardhmen do të vij sërish në Shkodër për të performuar. Koncerti jonë ishte vetëm për paqen dhe si një lutje për trazirat që kanë përfshirë botën”.

Koncerti u mbështet nga kryedioqeza e Tivarit në Malin e Zi ndërsa i pranishëm ishte ipeshkëvi i Tivarit monsinjor Rrok Gjonlleshaj që bashkë me ipeshkëvin e Shkodrës monsinjor Angelo Massafra dhanë mesazhin e tyre për paqen…

Arqipeshkëvi i Shkodrës bëri thirrje krerëve të politike që edhe vendet e Rajonit të gjejnë gjuhën e paqes dhe të lënë pas urrejtjet pasi lufta etnike ka mbaruar njëherë e mirë…

Koncerti u organizua nga kisha françeskane në Shkodër në kuadër të rikonstruksionit të kishës së Arrës së Madhe.